Partizani në Kupë kundër Naftëtarit, Alban Hoxha sërish jashtë formacionit

Partizani do të luajë nesër kundër Naftëtarit në Kuçovë, sfidën e parë të raundit të parë të Kupës së Shqipërisë.

Pritet që trajneri Mark Iuliano të bëjë disa ndryshime në krahasim me formacionin e hedhur në fushë në sfidën kundër Laçit për kampionat.

Në këtë situatë, duke parë edhe faktin se Partizani do të luajë të hënën kundër Kukësit në kryeqytet për kampionat, Alban Hoxha, por edhe ndonjë titullar tjetër me shumë mundësi nuk do të jetë në formacion për ndeshjen ndaj Naftëtarit.

Trajneri Iuliano, me të drejtë do të kërkojë të ruajë titullarët për sfidën ndaj kampionëve në fuqi të Superligës dhe Alban Hoxha, pas pezullimit në takimin kundër Laçit, tashmë do të vijojë të jetë pjesë e formacionit në sfidat e kampionatit.

Enigmë është aktivizimi i Idi Bathës për ndeshjen ndaj Naftëtarit për Kupë, pasi mesfushori dhe njëkohësisht zv.kapiteni i të kuqve mund ta nisë si titullar, meqenëse nuk luajti kundër Laçit.