Panuçi, një “Gabova” e mërmëritur

 

Dje, në një konferencë për shtyp kushtuar kryesisht dy ndeshjeve të fundit të ekipit tonë përfaqësues, trajneri i kuqezinjve, Kristian Panuçi u përpoq t’i thotë të gjitha. Duke shfrytëzuar edhe atë që u kthye më shumë në një bashkëbisedim, pra të një mjedisi mjaftueshëm miqësor, ndoshta për herë të parë në të tilla “mexhilise”u dëgjua  “mea culpa” nga një trajner i ekipit përfaqësues.

Por, vetëtimthi, si të ndiente se “preja” që kish lëshuar mund të ndërsente gazetarët (megjithëse, si specie nuk hyjnë te “mishngrënësit), sallën e më pas tërë opinionin sportiv, ai u përpoq të driblonte. Dhe, meqë në fushën e lojës për zanat ka patur krejt tjetër gjë, ajo që doli nga goja e tij ishte një kakofoni e vërtetë.

Trajneri fare mirë mund ta kish mbrojtur veten. Duke përfituar nga fakti që futbolli nuk është një shkencë – aq më pak ekzakte – dhe se subjektivizmi është gjella që kapërdihet, sidomos kur serviret nga “katedra e master shefit”, ai mund të kish sjellë para gazetarëve një strajcë me justifikime. “Lojtarët nuk kanë minutat e duhura në këmbë”, “po të kishim shënuar edhe një gol tjetër do ta kishim mbyllur ndeshjen,  “do të kisha bërë tjetër zëvendësim, por ndodhi që u dëmtua tjetri”, “ende nuk i njoh mirë futbollistët” e të tjera si këto janë dëgjuar me dhjetëra herë në konferenca të kësaj natyre. Por, ashtu siç rrekesh të fshihesh pas formës jo të mirë, rastit të humbur, apo mosvëmendjes në një rast delikat, pra kur ke mundësinë e tagrin për t’u veshur çdo lloj “kostumi” futbollistëve, nganjëherë, qoftë kjo dhe herë e vetme, duhet që, si në basketboll kur ngarkohesh me gabim personal, të ngresh dorën lart e të thuash: Gabova! (Lojë e rëndë kjo basketbolli…).

Dhe këtu nuk është “punë hunde”. Modeli i zgjedhur për të luajtur në Maqedoni me dy para mbrojtjes, apo pozicionimi i Hykës si sulmues i dytë, mundet realisht të konsiderohen gabime. Të evitueshme lehtësisht, nëse aktuali i stolit do t’i kish marrë një mendje paraardhësit që i përcolli nga Elbasani, pas fitores me Lihtenshtejnin.

Thënë kjo, gjithsesi, “Gabova” e Panuçit, edhe pse e thënë “gjarpërueshëm”, duhet përshëndetur. Nuk ia vlen në këtë rast të bësh triumfatorin (“E patë, ua kisha thënë se ia kishte futur kot për…”, mund të krekoset dikush). Nuk është se shkruhet për herë të parë, por ia vlen të rithuhet: ai që pranon se ka gabuar, të jep jep shpresë se di edhe të korrigjojë. Eshtë e keqja më e vogël, nëse nuk e pranon gabimin për “punë hunde”: po sikur, të mos arrijë ta kuptojë, pra të mos pranojë për “punë truri”? Vaj medet, atëherë!

 

more recommended stories