Lajmi i fundit/”Ushtria” e kuqe drejt Korçës, 10 autobusë gati deri tani  

Si në çdo ndeshje të luajtur në Korçë, Partizani do të ketë me vete edhe “ushtrinë” e tifozëve të tij. Në krahasim me transfertat e tjera, “Guerrilsat” dhe tifozët e tjerë të kuq janë më të shumtë në numër, duke ditur edhe rivalitetin me Skënderbeun.

“VIP SPORT” mëson se deri në këtë moment janë gati 10 autobusë për udhëtimin e tifozëve të Partizanit drejt stadiumit të qytetit të Korçës. Numri mund të rritet deri të shtunën, kur luhet ndeshja me Skënderbeun dhe është e sigurt se në stadium do të jenë më shumë se 500 tifozë të kuq.

Klubi organizator ka lënë vend pa limit për të kuqtë në tribunën E të stadiumit, që ka një kapacitet prej 1100 vendesh. Tifozët do të pajisen me bileta para nisjes për në Korçë dhe do t’i gjejnë ato pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”.