Kupa e Shqipërisë/ Naftëtari pret Partizanin, në Kuçovë përgatiten për festë…

Kuçova dhe tifozët e Naftëtarit përgatiten për një sfidë të veçantë, pasi nesër në stadiumin “Bashkim Sulejmani” do të presin Partizanin për të luajtur ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupë së Shqipërisë.

Në orën 16:00, pritet që stadiumi i qytetit naftëtar të “ziejë” nga tifozët bardhezi, të cilët presin me emocion përballjen ndaj të kuqve.

Naftëtari këtë sezon do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë, ndërsa skuadra ka pësuar ndryshime krahasuar me një sezon më parë.

Janë afruar lojtarë të rinj, ndërsa mosha e futbollistëve që përbëjnë ekipin janë nga 27 vjeç e poshtë me përjashtim të Erion Kajos (30), tashmë një futbollist me shumë vite kontribut në ekipin kuçovar.

Trajneri Brajan Fraholli ka zhvilluar përgatitjet me skuadrën, e cila edhe pse u grumbullua disi vonë po arrin dita-ditës në formën optimale. Një gjë të tillë e tregoi përmbysja e rezultatin në sfidën paraeliminatore të Kupës së Shqipërisë ndaj Orikumit në Kuçovë, nga 2-0 për miqtë në 3-2 për Naftëtarin.

Ndeshja me Partizanin ka veçantinë e saj për Naftëtarin, ekip që ndër vite është konsideruar “macja e zezë” e të skuadrës kryeqytetase.

Edhe pse bëhet fjalë për përballje të shumë viteve më parë, Naftëtari ka qenë një kundërshtar që i ka hapur probleme Partizanit në kohën kur të dyja garonin në Kategorinë e Parë (Superliga sot).

Fitorja e bujshme që mbahet mend sot nga tifozët kuçovarë daton në vitin 1983 për kampionat. Partizani luante në shtëpi ndaj Naftëtarit, ndërsa kuçovarët fitonin ndaj të kuqve me rezultatin 3-0 në “Qemal Stafa”. Një sfidë e pabesueshme për nga rrjedha e saj, pasi Naftëtari u ndëshkua me karton të kuq, pikërisht portieri Haxhiaj, ndërsa në portë hyri mbrojtësi Mikel Koroveshi, një tjetër emër i njohur i futbollit kuçovar.

Golat për Naftëtarin u shënuan nga Koçi dhe dopietë e Agim Metës.

Dy precedentë kur kuçovarët që kanë eliminuar Partizanin nga Kupa e Shqipërisë janë ato të viteve 1978 dhe 1981.

Ndërkohë që të dyja këto skuadra janë përballur mes tyre edhe në sezonet 2010-2011 në Kategorinë e Dytë, të dyja ndeshjet u mbyllën në barazim 0-0 dhe në vitin 2011-2012 në Kategorinë e Parë, ku sërish Naftëtari doli me pikë nga “Qemal Stafa” pas barazimit 1-1./VIPSPORT.AL/ Andi TANKU

more recommended stories