Klesidra e lalës Gjic

 

Nuk është se ka filluar siç mund ta kish parashikuar ky sezon për Milinkoviçin, trajnerin e Kukësit. Ftohtë: me Superkupën e humbur ndaj Tiranës “inferiore”, kushti bazë i kontratës – fitimi i të tre trofeve sezonalë – ka rënë. Po kështu, pavarësisht tri pikëve të para, ajo që u pa ndaj të sapongjiturve kamzalinj ishte ende pak për të besuar në skuadrën që duhet të dominojë sërish futbollin tonë.

Sigurisht është herët për të nxjerrë përfundime. Por edhe të heshtësh, mund të ketë kosto për më vonë. Pa hyrë në detaje, ajo që ka ndodhur pas eliminimit nga Champions League dëshmon se është punuar më së shumti diktuar nga emocionet dhe jo nga arsyeja. Presidenti Gjici i kishte vënë detyrë vetes e për rrjedhojë “urdhër të gjithëve” që të fitohej titulli. Dhe veç asaj që kanë bërë futbollistët, stafi teknik dhe vetë trajneri Ernest Gjoka për ta zbatuar këtë urdhër – dhe kjo është pjesa më e qenësishme e suksesit – vetë presidenti është detyruar të zbresë në fushë. Qarkullojnë zëra të besueshëm edhe për momente të tjerë, por dy, thuajse kyç, kanë qenë të dukshëm e të prekshëm në sytë e të gjithëve: pazari i bërë me Tiranën – “po të hap rrugë për kupën, më hap portën në kampionat” – ishte “kleringu” -, si dhe kamikazllëku i arbitrit Jorgji në Kukësi – Skënderbeu në fund të kampionatit.

Në kushte të tilla, eliminimi i skuadrës nga skena europiane, edhe pse “u diktua nga Zoti e jo nga robi” u kthye në sinjalin e startit të një fshese gjigante nga presidenti, që, duke patur “eksperiencën” e sezonit që e shpalli kampion, i mbushi mendjen vetes se mund të fitojë vetë. Bënte trajnerin e për këtë Gjoka duhej larguar, apo bënte Pejiçin dhe ai po të donte mund të qëndronte me gjysmën e pagës, bënte pa Eminin e Lenën e kështu me radhë. Ndaj duket sikur të gjithëve – trajnerit  të parit – u ka vënë një klesidër (orët me rërë të qëmotit, që sot përdoren për zbukurim) përpara, ndaj s’ka nevojë të përmendë të famshmen shprehje, “ujët e gamiles tënde po të mbaron…”.

Milinkoviç e di mirë këtë. E pranoi hapur pas fitores së djeshme se kërkon kohë, duke qenë i ndërgjegjshëm se ajo është shumë e kufizuar për të. Kërkon kohë, sepse kërkon që të ndryshojë konceptin e lojës te kampionët. Detyrueshëm për ta bërë këtë, pasi, jo vetëm mund të mos jetë në stilin e tij, por dhe se nuk ka më Pejiç, aty për ku, nga Koliçi e Shameti e të tjerë me radhë, mund të hidhnin “symbyllurazi” topin e gjatë. Kërkon kohë se i duhet “t’i gjejë vend pune” jo pak futbollistëve që, edhe pse nuk mund të paditen për cilësitë e tyre, janë të dubluar për një vend e lënë bosh hapësira të tjera në fushë. Kërkon kohë edhe për të t’i mbushur mendjes vetes se aty është për të fituar e jo për të qenë simpatik. Gjirokastra është shumë larg…

Nga ana tjetër e di fort mirë se nuk ka kohë. Edhe nëse nuk ka patur kohë ta kuptojë, të tjerë duhet t’ia kenë thënë se, presidenti që e ka punësuar është nga ata që “nxiton”. Ndaj i ka vënë klesidrën përpara. Rëra po rrëshqet dhe lala Gjic (siç e ledhatojnë në mjediset e futbollit) nuk pret derisa të zbrazet gjysma e saj. E thyen fare!

 

more recommended stories