Josa nis punën e re te Prishtina, prezantohet me lojtarët

 

Mirel Josa ka nisur zyrtarisht detyrën e re si Drejtor Sportiv i skuadrës së Prishtinës. Ish-trajneri i Skënderbeut ka rënë dakord me klubin e Kosovës për të marrë detyrën e re, dhe u prezantua me skuadrën.

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, u shpreh se klubi afroi Josën sepse dëshiron të ketë organizim më të mirë, duke pasur besim tek përvoja e tij në kampionatin shqiptar dhe në arenën ndërkombëtare.

Vetë Josa tha se e pranoi me kënaqësi detyrën, pasi donte të provonte një pozicion të ri, tashmë jashtë Shqipërisë, edhe pse brenda kombit shqiptar.

“Prishtina është klubi më me emër në Kosovë, jo vetëm tani në periudhën e formimit të shtetit të Kosovës por edhe më përpara, duke pasur parasysh reputacionin që ka.

Ambiciet janë që të ecë sa më para, pranimi në UEFA i Kosovës është gjë shumë e madhe dhe duhet që skuadra të ketë përfaqësim dinjitoz që të ecë sa më para në të gjitha drejtimet. Këtu e kam fjalën jo vetëm për fitimin e kampionatin në Kosovë, të cilin këtë vit e kam ndjekur më shumë dhe ka rivalitet.

E pranova me dëshirë ftesën e presidentit dhe nga momenti që Shqipëria është diçka ku i kam ezauruar të gjitha gjërat, mendoj të bëjë këtë përfaqësim. Unë nuk kam ardhur të vë në dukje gabimet që ka bërë skuadra por çdo gabim që evidentohet është për mirën e saj”, tha Josa për mediat kosovare.

Prishtina është klubi më i njohur i Kosovës, me 10 tituj në Kosovë, por nuk e ka fituar kampionatin që nga viti 2013.