Intervista/Ervis Kaja zgjedh me zemër: Ja çfarë ndodhi me Tiranën!

Emri i tij u përmend në dy skuadra të njohura të Kategorisë së Parë, pasi ndërpreu me konsensus kontratën me Lushnjën e Superiores. Mbrojtësi me përvojë, Ervis Kaja, ishte mes Besës, skuadrës së qytetit të tij të lindjes, dhe Tiranës, me të cilën ka luajtur disa sezone më parë. Po ashtu, kishte edhe një ofertë nga Bylisi për mbrojtësin, që luan edhe në mesfushë. Ka zgjedhur Besën, duke dëgjuar zemrën. Nuk ka firmosur ende, por mund të quhet 100% lojtar i skuadrës kavajase, që drejtohet nga trajneri Artion Poçi. Në një intervistë enkas për “VIP sport”, Kaja tregon vendimin e tij dhe atë çfarë ndodhi realisht me Tiranën ditët e fundit. Futbollisti nuk do të jetë në 18-shen e kavajasve për ndeshjen e sotme me Tiranën në kupë.

Kaja, me cilën skuadër do të luani sezonin e ri?

Jam një lojtar i Besës. Nuk e kam firmosur ende kontratën, por është thjesht një formalitet. Kam disa ditë që po stërvitem me Besën dhe do të nënshkruaj sot ose nesër.

Pse zgjodhët Besën, kur kishit edhe oferta të tjera?

Po, kisha oferta të tjera, por është një zgjedhje zemre. U kisha dhënë fjalën drejtuesve të Besës në kohën kur shkëputa marrëdhëniet me Lushnjën. Jam i kënaqur për këtë zgjedhje dhe nuk kam asnjë pishman. Kam marrë vendimin më të mirë.

Si qëndron e vërteta e ofertës së Tiranës?

Po, më kontaktuan nga Tirana dhe më thanë se më donin në ekip, madje më kanë telefonuar në mbrëmje vonë. Nga sa kuptova, stafi teknik më donte në ekip, por nuk e di çfarë ndodhi dhe nuk u bë konkrete si pistë. Në fakt, dua të jem i sinqertë, nuk e kisha menduar fare Tiranën, por ishin ata vetë që më kontaktuan, madje disa herë. Megjithatë, e kisha bërë zgjedhjen time që më parë se do të luaja për Besën, sepse në ekipin e qytetit tim jam mirë në çdo drejtim.

Ervis Kaja, kur luante për Apoloninë

Çfarë mund të bëjë Besa në sezonin e ri, ka mundësi për Superioren?

Patjetër që ka mundësi. Besa është riorganizuar, ka afruar disa lojtarë me përvojë edhe në Superiore dhe ka një trajner të ri. Drejtuesit janë të angazhuar maksimalisht për ta kthyer skuadrën në elitën e futbolit shqiptar dhe besoj se do ta arrijmë këtë objektiv.