INTERVISTA/ U shit në Danimarkë, Ramadani: Partizani fiton sërish në Korçë, Ekubani bishë, Çani i shkëlqyer

Ylber Ramadani ishte një ndër futbollistët që spikati te Partizani sezonin e shkuar.

Mesfushori i talentuar u shit gjatë merkatos së verës nga klubi i kuq për 200 mijë euro te Vejle Boldklub, skuadër që kryeson Divizionin 1 në Danimarkë dhe është në rrugën e mbarë për t’u ngjitur në Superligë.

21-vjeçari që është pjesë e Shpresave të Shqipërisë ka gjetur te Vejle, ish-trajnerin e Partizanit, Adolfo Sormanin.

Ramadani është pjesë e formacionit bazë te skuadra daneze dhe ka zhvilluar paraqitje shumë pozitive, ndërsa në një intervistë për “VIP Sport” rrëfen eksperiencën e tij të parë futbollistike në Europë.

Mesfushori nga Ferizaj i Kosovës ka folur edhe për ndeshjen e së shtunës mes Skënderbeut dhe Partizanit duke u shprehur mes besim të lartë se të kuqtë do të fitojnë edhe këtë herë në Korçë ashtu si në sfidat e fundit të luajtura në juglindje të vendit.

-Ylber, duket se eksperienca te Vejle në Danimarkë po shkon shumë mirë. Jeni në vend të parë në kampionat. Si ndihesh?

-Ndihem shumë mirë, pasi jemi në krye të renditjes. Kemi ekip shumë të mirë dhe besojmë shumë të arrijmë objektivin për t’u ngjitur në Superligën e Danimarkës.

Ramadani me fanellën e Vejles gjatë një ndeshjej në kampionat.

-Je aktivizuar titullar në 8 ndeshje nga 9 të luajtura në kampionat. I kënaqur me paraqitjet që keni bërë deri tani?

-Jam i kënaqur, por unë dëshiroj gjithmonë akoma më shumë nga vetja që të arrij qëllimin dhe të shkoj edhe më lart.

-Ç’mund të na thoni për futbollin në Danimarkë, sa ndryshon nga ai në Shqipëri?

-Këtu në Danimarkë, futbolli është shumë fizik dhe më i vështirë se në Shqipëri. Por edhe në vendin tonë, vitet e fundit futbolli ka ecur me ritme të shpejtë.

-Vejle është drejt rrugës për t’u ngjitur në elitë. Mendoni se do e arrini këtë objektiv?

-Objektivi ynë sigurisht që është Superliga dhe për momentin jemi në rrugën e duhur.

-Si janë marrëdhëniet tuaja me shokët e skuadrës, stafin teknik dhe tifozët?

-Marrëdhëniet i kam shumë korrekte me të gjithë, sidomos me stafin teknink pasi ata ishin edhe te Partizani kur unë luaja atje. Trajneri i skuadrës sonë, Adolfo Sormani është një njeri i shkëlqyer për mua.

-Partizani nuk e ka nisur mirë këtë sezon. I keni ndjekur dy ndeshjet e para të ish-skuadrës suaj?

-Normalisht qe e kam ndjekur Partizanin në dy ndeshjet e para, sepse nuk mund ta harroj atë ekip. Më ka dhënë shumë ajo fanellë dhe ata tifozë që janë më të mirët në Shqipëri. Mendoj se Partizani do të rikthehet shpejt te rezultatet pozitive, sepse është një skuadër e madhe dhe që e nis çdo vit si pretendente për titull.

-Mendoni se Çani mund të bëjë Ekubanin te Partizani?

-Çani është një sulmues i mirë, e kam parë edhe me Kombëtaren. Është i shkëlqyer. Ekubani? Edhe dhe ju vetë e dini çfarë kapaciteti zotëron, sepse e keni parë që ishte një bishë që bënte diferencën në Superligë.

-Ndeshja e radhës është Skënderbeu-Partizani. Sezonin e shkuar kur edhe ju ishit pjesë e skuadrës nuk humët asnjë ndeshje. Mendoni se do vijojë kjo ecuri edhe në sfidën e së shtunës?

-Mendoj që Partizani do e bëjë kthesën në Korçë kundër Skënderbeut, sepse aty kemi treguar se dimë të fitojmë. Kam shumë besim se do fitojë Partizani, edhe këtë herë.

-Ndonjë mesazh për tifozët?

-Uroj që Partizani ta fitojë titullin edhe për tifozët. Më kanë mbështetur shumë dhe dua t’i falënderoj. E thashë edhe më lart që tifozët e Partizanit janë më të mirët në Shqipëri dhe dinë më së miri se si të mbështetin ekipin e tyre të zemrës. Uroj t’i gëzohen titullit kampion këtë sezon në Superligë./VIPSPORT.AL/Andi TANKU