INTERVISTA/ Ditmar Bicaj: Ja ku gabuam ndaj Skënderbeut, s’e keni parë ende Flamurtarin e vërtetë

Flamurtari e nisi me humbje sezonin e ri në Superligë, pas disfatës 0-2 në Korçë. Kundër Skënderbeut mjaftuan pak sekonda dhe vlonjatët u gjendën në disavantazh pas një 11-metëshi të shkaktuar nga portieri Adis Nurkoviç dhe e shndërruar në gol nga Sabjen Lilaj.

Një nisje jo e mirë, por është vetëm fillimi dhe Flamurtari mund të kërkojë kohë për të formatuar skuadrën, e cila në 80% të saj është e ribërë nga fillimi.

I këtij mendimi është Ditmar Bicaj, qendërmbrojtësi me eksperiencë në kampionatin shqiptar që iu bashkua Flamurtarit në merkaton e verës.

Në një intervistë për “VIP Sport”, një nga lojtarët me peshë te skuadra vlonjate tregon arsyet e humbjes në Korçë ndaj Skënderbeut, pikat ku do të vijojë puna për t’u perfeksionuar dhe objektivi i Flamurtarit në sfidën ndaj Lushnjes e në vazhdim në të gjithë sezonin.

INTERVISTA’

-Sezoni ka nisur me humbje në Korçë ndaj Skënderbeut, çfarë nuk shkoi për Flamurtarin në këtë takim?

– Në Korçë shkuam për pikë, për të qenë i sinqertë. E filluam ndeshjen 1-0 për kundërshtarin për një pakujdesi në fillimin e ndeshjes. Të luash ndaj Skënderbeut duhet te jesh i përqendruar maksimalisht pasi një ekip i tillë të ndëshkon në episode të veçanta. Krijuam dy raste të pastra për gol në pjesën e parë. Nëse do t’i kishim realizuar, ndeshja do kishte marrë një rrjedhë tjetër.

-Në fakt, gjatë pjesës së parë ishte një Flamurtar ndryshe nga ai i pjesës së dytë. Pse kjo paraqitje me “dy fytyra”?

-Pjesa e parë ishte e një niveli të lartë, pasi kemi ushtruar shumë presing te kundërshtari. Në pjesën e dytë kemi pasur oshilacione, ndoshta edhe për vetë faktin që nuk jemi akoma në 100% tonë, sepse ishte vetëm ndeshja e parë e kampionatit. Skënderbeu është në kulmin e formës pasi ka 2 muaj që është në aktivitet, duke luajtur në Europa League.

-Pësimi i golave ka qenë një defekt që është vënë re edhe në fazë përgatitore gjatë ndeshjeve miqësore. Çfarë mund të përmirësojë Flamurtari për të shmangur këtë gjë?

-Sa i përket pësimit të golave, duhet të jemi më të vëmendshëm si ekip, sepse siç e thashë edhe më lart, ndëshkohemi në episode të veçanta dhe kjo vjen si pasojë e mos përqendrimit të mirë. Megjithatë, unë kam besim që ekipi do vijë në rritje dhe do shikoni një Flamurtar të fortë. Mos harroni që është ndërruar 80% e ekipit dhe disa lojtarë kanë nevojë të ambientohem akoma më shumë.

-Si u ndjeve në Korçë, edhe pse tashmë po bëhen disa sezone që shkon si një “ish” në stadiumin “Skënderbeu”?

-Në Korçë gjithmonë jam ndjerë mirë sa herë kam luajtur kundër Skënderbeut. Kam shumë miq atje dhe gjej rastin të përshëndes edhe tifozët e Skënderbeut për respektin që më japin si një “ish” sa herë luaj në Korçë.

-Ndeshja e radhës është ndaj Lushnjes. Momenti për të treguar forcën e vërtetë dhe për të bërë kthesën?

-Ndeshja e radhës ndaj Lushnjes duhet vlerësuar në maksimum. Është një ekip që luan bukur futboll. Edhe ndaj Vllaznisë u ndëshkua në dy momentet e saj më të mira. Flamurtari do të kërkojë fitoren, sepse është ndeshje në shtëpi, pavarësisht se nuk do luajmë në Vlorë. Duhen marrë tri pikët me çdo kusht.

-Çfarë prisni nga ky sezon te Flamurtari në aspektin personal?

-Kërkoj të kem formën që kam pasur sezonin e fundit me Vllazninë dhe të kontribuoj në maksimum për Flamurtarin, në mënyrë që të jetë në mes tre ekipeve më të mirë në fund të sezonit./VIPSPORT.AL/ANDI TANKU