Eshtë mbushur “defteri”?

Lajmi u dha i thatë: Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit u fal klubeve të të gjitha kategorive kuotën e pjesëmarrjes në garë. Po kaq thatë e me një laps të pamprehur i bie që në arkën e kësaj shoqate të mungojnë rreth 35 milionë lekë…

Dreq o punë! Ke parë ti, që ka raste që, edhe kur të falin, ndien se mund të ketë ndonjë hile? Vështirë të thuash në mënyrë absolute se kjo është shenjë mosmirënjohjeje ndaj dhuruesit, pasi dyshimet që u zgjuan menjëherë pas marrjes së këtij lajmi duket se nuk janë në ajër. Dhe nuk është se duhet tjerrë shumë muhabeti!

Vërtet, pse? Të gjithë e dinë se klubet tona të futbollit, sidomos ato të kategorive inferiore janë të varfëra e mezi ia dalin të respektojnë garën. Por në praktikën e punës së federatës – jo vetëm në rastin e regjistrimit, por dhe për gjoba të motiveve të ndryshme – detyrimet janë “shlyer” nga vetë institucioni, duke ua mbajtur më pas, kur vinte puna për të shpërndarë të ardhurat që u takonin atyre. Përveç Flamurtarit (kjo është bërë publike), thuajse të gjithë të tjerët janë në “defterët” e borxheve në FSHF. Parë kështu, i bie që fletët e defterit të jenë mbushur plot dhe duke qenë se nuk ka asnjë mundësi për t’i marrë mbrapsht ato para, Komiteti Ekzekutiv e presidenti i FSHF-së e kanë parë më të udhës që më mirë të mos i kërkojnë!

Edhe në parim qëndron se kur dikush të fal, duhet të bësh kujdes, sepse, edhe pse jo materialisht, “borxhin” do ta kthesh. Në forma të tjera. Qoftë edhe duke heshtur. I bie që klubet, bashkë me atë që nuk do të nxjerrin para nga xhepi, nuk mund e nuk duhet të nxjerrin fjalë nga goja. Më e thjeshta: një pjesë e këtyre parave është thënë se shkonin për rritjen e shpërblimit të gjyqtarëve. Kur nuk paguan, s’ke si flet e ankohesh. Aq më pak të kërkosh hesap. Karton i kuq për veten!

Mundet që në argumentet kundër të ketë teprime, apo pasaktësi, por një gjë është në dritë të diellit: klubet janë gdhirë sot shumë më të varura nga federata në krahasim me dje. Do të ishte utopike të ëndërrosh se do të ketë një marrëveshje mes klubeve që, në emër të pavarësisë, t’i thonë FSHF-së: “Faleminderit, por atë që na takon për ta paguar, do ta paguajmë!”. Por është po kaq utopike të besosh se Liga do të bëhet. Vërtet është e vështirë që ajo të bëhet pa para. Por, një gjë është e sigurtë: ajo nuk bëhet kurrë me zvarranikë!