DRITHËRRUESE/ Rikthehen pas 15 vitesh në Superligë, tifozët e skuadrës turke “djegin” stadiumin

SK Göztepe është një ndër klubet më të vjetër të futbollit turk, themeluar në vitin 1925, klub i cili në historinë e tij të ekzistencës ka “hequr” shumë dhe ka notuar madje edhe në ligat amatore për shkak të problemeve financiare.

Por, pas 15 vitesh mungesë, këtë sezon skuadra verdhekuqe është rikthyer në Superligën e Turqisë, madje pas ndeshjeve të para të kampionatit renditet në vendin e tretë me 10 pikë të grumbulluara.

Entuziazmi i tifozëve të Göztepe për arritjen e skuadrës së tyre ka qenë i papërmbajtshëm në sfidat që kanë zhvilluar në shtëpi, sidomos në atë kundër Fenerbahces në takimin e javës së parë kur morën një barazim 2-2 në shtëpi.

Në një nga faqet më të njohura europiane të tifo-grupeve në Facebook është postuar një video nga atmosfera që kanë krijuar tifozët e Göztepe në një nga takimet në shtëpi, pikërisht ajo e luajtur para tri ditësh ndaj Genclerbirligi. Göztepe fitoi 3-2.

Gjithë stadiumi në unision, këngë dhe koreegrafi e shkëlqyer në një kohërencë perfekte, ndërsa oshëtima e brohoritjeve është drithërruese, e përshtatshme për të përdorur frazën: “kanë djegur stadiumin”.

Hera e fundit që Göztepe kishte marrë pjesë në Superligën e Turqisë ishte sezoni 2002-2003 më pas ra në Ligën e Parë dhe me radhë në zbritje duke provuar Ligën e Tretë (gjysmë amatore) në sezonin 2005-2006.

Göztepe fitoi sezonin e shkuar të drejtën për të milituar në Superligë dhe starti i kampionatit për ekipin e qytetit të Izmirit ka qenë fantastik, sigurisht duke bërë krenarë tifozët verdhekuq./VIPSPORT.AL

more recommended stories