Daja “skanon” ukrainasit, i tregon ekipit pikën më të fortë të Dinamos

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është nga ata që punojnë shumë me anën teorike, përveç përgatitjeve në fushë. Edhe për ndeshjen e radhës me Dinamo Kiev ai ka punuar shumë me teorinë.

Trajneri kryeqytetas e ka studiuar kundërshtarin me anë të disa videove dhe ka një ide më të qartë se ku duhet të ketë kujdes ekipi i tij dhe ku mund t’i godasë ukraiansit. Gjithçka është analizuar në një seancë teorike dje në Selanik, nga ku ekipi është nisur sot drejt Kievit.

Trajneri Daja u druhet goditjeve standarde, ku ukrainasit janë shumë të fortë, ndaj dhe i ka porositur lojtarët të kenë shumë kujdes në këtë drejtim. Dinamo Kiev ka lojtarë të fortë fizikisht, të aftë të godasin në çdo goditje standarde.

Skënderbeu do të bëjë lojën e tij të zakonshme, me qarkullim të shpejtë dhe të saktë të topit. Trajneri Daja mendon të hedhë në fushë Ditën në vend të Nimagës, pasi mendon se ky lojtar e bën më mirë atë rol.

Nga një ndeshjes mes Dinamo Kiev dhe Yang Boys këtë sezon

Për aventurën në Grupin B dhe shanset e kualifikimit, trajneri Daja u shpreh: “Jemi koshientë për forcën e ekipeve kundërshtare në grup. Kualiteti i tyre është një shkallë më lart, por futbolli është sport kolektiv dhe ne do të provojmë. Nuk jemi rastësisht këtu dhe kemi shanset tona. Të shohim çfarë jemi në gjendje të bëjmë praktikisht në ndeshjet në grup, pasi teorikisht dihet tashmë kush është favorit.”